Pse Jabllanoviqi nuk ndiqet penalisht

Diaspora

Pse Jabllanoviqi nuk ndiqet penalisht

Nga: Luz Tomaj Më: 29 janar 2015 Në ora: 18:31

SHBA - Fizikisht, Jablanoviq është në Kosovë, por ai merr frymë në Beograd. Që në fillim më duhet të them se deklaratës së tij kriminale i paraprini vizita e A. Vulin, ministër i Serbisë i cili, jo i vetmi, nuk zgjedh mënyrë as mjete në ekstremizmin antishqiptar. Ndoshta dikush duhet të mendon për shpalljen e tij si persona non grata dhe t'i ndalohet hyrja në Kosovë.

T'i kthehemi Jablanoviçit. I përdori fjalët më të vrazhdta, jo ndaj një individi, por ndaj komunitetit shqiptar të një qyteti, ndaj nënave dhe familjeve, të cilat akoma nuk e din se ku ndodhen eshtrat e bijve të masakruar nga dora e Serbisë, pjesë e të cilës edhe sot Jablanoviçi pretendon me qenë, sepse ndonëse është në Kosovë, madje anëtar i qeverisë, jam i sigurt se në zemrën e tij Kosova është “Kosova dhe Metohija”, pjesë e Serbisë.

Kushtetuta e Kosovës, dinjitetin e individit, të njeriut, e konsideron të pacenueshëm. Jam i sigurt se edhe Ligji penal i Kosovës, fyerjen, ofendimin, e sanksionon si vepër penale. Ndërkaq, fyerja publike veprën e banë edhe pak më të rëndë. Sipas informacioneve, në Gjakovë janë mbledh mjaft nënshkrime për ngritjen e procedurës penale, ngase vepra e tillë ndiqet sipas padisë private. Nëse fyerja ndiqet me padi private, në veprimet ose deklaratën e Jablanoviçit, ekzistojnë të gjitha elementet e veprës tjetër penale, me të cilën është deshtë ose duhet të merren policia dhe prokuroria. Në fakt, deklarata e Jablanoviçit drejtuar gjakovarëve se janë egërsira, është shembull tipik i krimit penal i cili kualifikohet si nxitje e urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, racor, etnik apo fetar. Si pasojë e krimit të Jablanoviçit, erdhi në shprehje mu ai mosdurimi, qoftë edhe i një pjese të popullit. Prandaj, jo vetëm që Jablanoviqi e bëri krimin, por në vazhdim rezultuan edhe pasojat, thuaja aty për aty, në formë të demonstratave. Sjellja e Jablanoviçit, pas kryerjes së veprës, plotësisht e argumenton qëllimin e tij dhe dashjen, si element, të veprës së kryer. Po të kishte patur sado pak ndjenja ose ndërgjegje, kishte me u tërheq nga pozita e vet dhe në mënyrë të sinqertë dhe në formë njerëzore kishte me kërkuar falje para qytetarëve. Ai nuk e bëri një gjë të tillë, nuk është befasi. Duke e përcjell tërë situatën, kuptohet, përmes mediave, kam bindjen se mu nga fakti se Kryeministri akoma qëndron prapa Jablanoviçit, heshtin edhe organet ndjekëse - policia dhe prokuroria. Akoma, shpresoj, se nuk është vonë.

Edhe dy fjalë kryeministrit. E simpatizoi, prej fillimit, Lidhjen Demokratike. Shkurtazi e përcolla në TV një seancë të Kuvendit. Më ra në sy një reagim ndaj diskutimit të një deputeti, përveç tjerash, kryeministri e përdori edhe gjuhen kush je ti... Ai ishte, megjithatë, deputet. Kryeministër pse nuk e pyete kurrnjëher Jablanoviçin ‘kush je ti, kush të dha të drejtë me e quajt popullin egërsirë, kryeministër’.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat